Kur buka nuk është vetëm ushqim – Kulaçi me kos nga Sokol Prenga
Në çdo shtëpi shqiptare, buka është më shumë se një gatim, është një rit, një ogur, një kujtim. Kulaci me kos, i përgatitur nga Shef Sokol Prenga, është një nga ato receta që i mbajnë gjallë rrënjët e kuzhinës sonë. Një pjekje e thjeshtë në përbërës, por e pasur në simbolikë, që për dekada ka shoqëruar dasma, festa dhe ditë të zakonshme me aromë shtëpie.
Një recetë që lind nga zakoni dhe dashuria
Në traditën shqiptare, kulaci nuk ishte thjesht bukë, ishte shenjë e begatisë. Në shumë fshatra të jugut dhe të veriut, ai piqej për dasma si ogur i mirë për nusen që hynte për herë të parë në shtëpinë e burrit. Në ditët e tjera, përdorej për mëngjes me djathë e vaj ulliri, ose i ngrohur me gjalpë e mjaltë. Një recetë që mund të të çojë nga aroma e një furre shtëpie deri te kujtimet e brezave.
Si e përgatit Shef Sokol Prenga
Sekreti qëndron në cilësinë e miellit, shefi këshillon që ai të ketë mbi 13% proteinë, për të marrë një brumë të plotë dhe aromatik.
Në një tas, përzihen mielli, kripa dhe soda e bukës.
Në qendër hapet një gropë ku shtohen kosi, uji dhe vaji i ullirit.
Përzierja bëhet me kujdes, ngadalë nga qendra drejt skajeve, derisa brumi të jetë i butë dhe “të pastrojë enën”, siç thotë mjeshtri, “atëherë e ke gjetur pikën e duhur”. Punimi i brumit zgjat rreth 10 minuta dhe më pas lihet të pushojë 20–40 minuta, sipas temperaturës së dhomës.
Në fund, brumi shtrohet në tavë, shpohet lehtë me pirun, lyhet me pak vaj dhe piqet në 180°C për 40–50 minuta, derisa të marrë ngjyrë të artë.
Më shumë se një recetë
Shef Prenga kujton se kulaci nuk hahej vetëm si bukë. Në raste festive, përhapej me mjalte ose vaj ulliri me djathë, ndërsa në ditët e zakonshme, përdorej për të bërë përshesh me pulë, gjel apo qengj.
Në disa zona, kulaci ruhej me kujdes, mbështjellë me një copë pambuku, që të mos thahesh, dhe përdoresh javë të tëra si bazë për vakte të ndryshme.
Receta origjinale e Shef Sokol Prenga
KULACI ME KOS
Përbërësit:
- Miell i fortë – 1 kg (13–15.5% proteina)
- Kos – 300 ml
- Ujë – 250 ml
- Sodë buke – 15 gr
- Vaj ulliri – 150 ml
- Kripë – 20 gr
Përgatitja:
Në një tas, përzieni miellin me kripën dhe sodën e bukës.
Shtoni kosin, një pjesë të vajit të ullirit dhe ujin gradualisht, duke përzier nga qendra në periferi derisa të lidhen të gjithë përbërësit.
Punoni brumin për rreth 10 minuta, shtoni pak vaj në fund dhe lëreni të pushojë 20–40 minuta. Shtroni në tavë, shponi me pirun, lyeni me pak vaj dhe piqeni në 180°C për 45–50 minuta.





Një copë e vogël, një histori e madhe
Në çdo copë kulaci fshihet pak kujtesë, pak aromë vaji dhe shumë dashuri.
Siç e përmbledh vetë Shef Sokol Prenga: Kulaci është buka që nuk mungon kurrë, në festë, në përditshmëri, dhe në çdo kujtim që të çon në shtëpi.