Si bëhet tavë kosi Elbasani me mish qingji – Receta origjinale e shefit Naim Bashmili
Ka gatime që i ndjejmë pjesë thelbësore të identitetit tonë, dhe sa herë pyesin mbi kuzhinën Shqiptare nuk ka dyshim, Tava e Kosit është simboli që na përfaqëson. Butësi e papërsëritshme, pothuajse mistike, ku dy shije të veçanta si mishi i shijshëm i qingjit dhe kosit të athët të shtëpisë, bashkohen në një.
Në zemër të Shqipërisë, qyteti i Elbasanit ka vulosur emrin e tij mbi këtë pjatë të kthyer në një emblemë kombëtare. Ndaj nuk është rastësi që shpesh referohet si Tavë Elbasani.
Mjeshtëri që mbështetet tek detajet
Tava e Kosit dallohet jo vetëm për shijen, por edhe për teksturën unike. Përpos mishit të qengjit, nuk mund të ishte kaq e veçantë pa përbërësin tjetër, që e bën këtë gatim kaq kremoz dhe të shijshëm. Kosi i bërë në shtëpi.
Sekreti qëndron tek lidhja e kosit me vezët e fshatit dhe miellin, duke krijuar një masë homogjene dhe kompakte. Ndonëse ofron lirshmëri zgjedhjeje, pasi mund të gatuhet me pulë, bibë apo mish viçi, veçantinë dhe shijen e vërtetë e ka me mishin e qingjit të majmur dhe sidomos me qafën e dashit.
Rrëfmitar përmes shijes
Kjo recetë, një nga dëshmitë më të vjetra të kuzhinës shqiptare, nuk ka mbërritur e paprekur rastësisht deri në ditët tona. Janë mjeshtërit e njohur si Shef Naim Bashmili, që vazhdon ta përcjellë këtë gatim tradicional në ditët tona.
Shef Bashmili nuk e gatuan Tavë Kosit thjesht si një teknikë; ai e trajton atë si një akt kujtese duke ruajtur çdo detaj të kësaj tradite, që nga përzgjedhja e qengjit të majmë deri te kosi i athët i shtëpisë. Një shije e gjallë, e transmetuar me pasion dhe përkushtim brez pas brezi.
Receta origjinale e Shefit Naim Bashmili
TAVA E KOSIT- ELBASANIT
Përbërësit: (8 persona)
- Kos i athët (i bërë në shtëpi) –1.5 lit
- Mish qingji i majmë – 1kg
- Lëng mishi – 600ml
- Kripë – 25gr
- Vezë fshati – 6 kokrra
- Miell – 100gr
- Gjalpë – 70 gr
- Oriz – 1 lugë çaji
Përgatitja:
Vendosim mishin në një enë, i hedhim kripë, shtojmë pak ujë dhe e vendosim në furrë në 200°C për rreth 1 orë. Kohë e mjaftueshme që mishi të piqet, aq sa duhet, pasi do kalojë më vonë, sërish në furrë. Hiqet nga furra, kullohet lëngu dhe mishi vendoset në enën ku do piqet bashkë me kosin.
Në një enë përzihen bashkë, kosi, lëngu, mielli e vezët dhe vihen në zjarr duke e përzierë derisa te nisë të trashet paksa. Hiqet nga zjarri dhe rregullohet me kripë.
Shtojmë orizin tek ena e mishit dhe më pas hedhim mbi të të gjithe tretësirën. Në sipërfaqe shtojmë dhe gjalpin të copëtuar në copëza dhe më pas e pjekim në furrë në 180°C, për 20 minuta. Koha e pjekjes varet dhe nga lloji i furrës, por një tregues që tava eshtë gati, është dhe ngjyra që ajo merr në sipërfaqe. Ajo duhet të jetë e kuqerremtë.
Tava e Kosit shërbehet e vakët, pasi kur ajo del nga furra, për shkak të nxehtësisë është më e “ujshme”. Kur pushon paksa bëhet më e mbledhur dhe më krem.




Rezultati:
Tani, i gjithë rituali është në duart tuaja. Gatuajeni me zemër, shërbejeni me dashuri dhe kujtoni se në çdo kafshatë është shpirti i një kuzhine që jeton në shekuj.