Kujtimet të ëmbla – Revania e Vlores nga Sokol Prenga
Në brigjet e Vlorës, në Radhimë, lind një recetë që është më shumë se një ëmbëlsirë, është një kujtim që kalon brez pas brezi.
Revani Vlorë, e sjellë nga Shef Sokol Prenga, është një pjatë e trashëguar nga familja Jazoj, ku gjyshja e shtëpisë shquhej për revaninë që piqte në saç, të artë e me aromë gjalpi dhe mjalti. Në disa raste, ajo e përgatiste në çast, pa bajame, dhe e shërbente me lugë, e ngrohtë dhe pa pjekje në furrë.
Siç kujton Shef Sokol Prenga, saçi i jepte një shije të veçantë dhe “ishte gjithmonë shkak për ‘lufta’ të vogla në shtëpi se kush do merrte qoshet, që ishin më kërce e më të pjekura.”
Trashëgimia e një gatimi të duruar
Revania nuk është vetëm një ëmbëlsirë, por një dëshmi e kujdesit, durimit dhe mjeshtërisë që karakterizon kuzhinën tradicionale vlonjate.
Ajo përfaqëson një mënyrë gatimi që respekton ritmin e ngadalshëm dhe përgatitjen me dorë, aty ku çdo hap ka rëndësi dhe çdo përbërës kërkon vëmendje.
Receta origjinale e Shef Sokol Prenga
REVANI VLORË
Përbërësit:
- Niseshte misri – 500 gr
- Ujë – 1.5 litra
- Sheqer – 500 gr
- Gjalpë – 150 gr
- Mjaltë – 100 gr
- Bajame – 150 gr
Përgatitja:
Në një kusi me bisht vendoset sheqeri me pak ujë dhe lihet të karamelizohet.
Kjo mënyrë përdoret kur duam revaninë me ngjyrë më të errët, ndryshe mund të gatuhet edhe pa e karamelizuar.
Sheqeri lihet të shkrihet ngadalë, pa e prekur, derisa të marrë ngjyrën e kuqërremtë të dëshiruar.
Ndërkohë, në një kusi tjetër nxehen 2/3 e ujit, në mënyrë që kur t’i shtohet karamelit, të mos ngurtësohet.
Në një tas tjetër, niseshtja treset me pjesën e mbetur të ujit derisa të krijohet një masë e butë e njëtrajtshme.
Kur karameli të jetë gati, shtohet uji i nxehtë dhe, pasi tretet plotësisht, hidhet niseshtja e tretur në ujë të ftohtë.
Masa përzihet ngadalë në zjarr derisa të trashet.
Në këtë moment shtohet gjalpi me pjesë të vogla, duke ulur zjarrin, dhe menjëherë pas tij shtohet mjalti, i cili përzihet mirë derisa të lidhet plotësisht me kremën.
Bajamet, pasi janë hedhur në ujë të vluar dhe u është hequr cipja, piqen për rreth 7 minuta në 170°C.
Pasi ftohen dhe priten me thikë, shtohen te masa e përgatitur pas mjaltit.
E gjithë përbërja vendoset në tavë dhe piqet në 200°C për rreth 20 minuta, derisa të marrë ngjyrë të kuqërremtë në sipërfaqe.
Lihet të ftohet dhe më pas pritet në copa.
Ruhet në temperaturë mjedisi dhe shërbehet po ashtu.




Kujtimi që mbetet
Revania e Radhimës është një nga ato gatime që mbart më shumë se shije mbart histori. Një kujtim që, siç e thotë vetë Shef Sokol Prenga, vjen nga duart e një gjysheje që e piqte në saç, me dashuri dhe durim, dhe që në çdo qoshe të pjekur fshihte aromën e fëmijërisë.
Një ëmbëlsirë e butë, e ngrohtë dhe e përjetshme.