Tava e Nartës – Një pjatë që bashkon tokën me detin nga Bujar Veshi
Në brigjet e Nartës, aty ku era e detit përzihet me aromën e ullinjve dhe ku çdo tavë ka historinë e saj, Shef Bujar Veshi ka rikrijuar një nga gatimet më të veçanta të traditës vlonjate: Tava e Nartës me Levrek.
Një pjatë që lind nga deti, por që mban në shpirt frymën e tokës dhe frutat e stinës së vjeshtës.
Një recetë e lashtë, me prekje moderne
Kjo recetë tradicionale, e njohur dikur si “tava me qefull”, është kthyer nga Shef Veshi në një interpretim që ruan autenticitetin, por i shton nuanca të reja. Peshku i freskët, qepët e ëmbla të ziera ngadalë në vaj ulliri dhe frutat ftoi, pjeshka, kumbullat, krijojnë një kombinim të papritur mes ëmbëlsisë dhe kripësisë.
Rezultati është një kontrast që e bën këtë gatim të dallohet: një pjatë e ngrohtë, me aromë të thellë, që i përket detit, por flet me gjuhën e tokës.
Krijimtaria e Shefit
Ashtu si në çdo recetë të tij, edhe këtu Shef Bujar Veshi ruan përbërësit e zonës, por shton frymën e krijimtarisë. Ai i afrohet kuzhinës si një rrëfimtar duke treguar përmes shijes historinë e një vendi, të njerëzve të tij dhe të stinës.
Përmes kumbullave të thata dhe ftoit të pjekur, ai sjell vjeshtën në një pjatë që zakonisht i përket verës. Këto elemente i japin pjatës thellësi, aromë dhe një ton nostalgjik, një përzierje mes traditës dhe momentit të tanishëm.
Receta origjinale e Shef Bujar Veshi
TAVË E NARTËS ME LEVREK
Përbërësit:
- Peshk Levrek 1.5 kg (ose qefull tradicional)
- Qepë të thata – 1.2 kg
- Hudhra – 10 thelpinj
- Karafil – 4 gozhdë
- Piper kokërr – 15 kokrra
- Dafinë – 8 gjethe
- Kumbulla – 2 copë
- Ftua – 1 kokërr e madhe
- Pjeshkë – 1 kokërr e madhe
- Kumbulla të thara – 10 kokrra
- Vaj ulliri
- Kripë
Përgatitja:
Qepët e pastruara priten trashë dhe kaurdisen në vaj ulliri derisa të zbuten dhe të marrin ngjyrë kashte. Shtohen piper kokërr, dafinë, hudhra, pak piper të bluar dhe pak kripë.
Ndërkohë, ftoi pastrohet dhe piqet për 5 minuta në 200°C me pak vaj e kripë. Kumbullat dhe pjeshka priten në copa.
Levreku pastrohet, kriposet dhe pritet në copa, siç kërkon tradita, për ta bërë shërbimin më të lehtë pas pjekjes.
Kur qepët janë gati, shtrohen në tavë. Sipër vendoset peshku, pastaj frutat: ftoi, kumbullat, pjeshka dhe kumbullat e thara.
Në fund shtohet pak ujë, kripë sipër peshkut dhe pak vaj ulliri. Piqet në furrë për rreth 15 minuta në 200°C.



Një pjatë që të mbetet në kujtesë
Në këtë gatim, deti takohet me kopshtin e shtëpisë.
Është një pjatë që nuk synon të surprizojë me formën, por të ngrohë me shijen një pjatë që të kujton pse kuzhina vlonjate është një nga më të pasurat në Mesdhe.