Jani me mish qingji – Një pjatë që mban aromën e Vlorës nga Bujar Veshi
Ka receta që janë më shumë se ushqim, janë kujtime, rrëfime, rrënjë. Jahnia Vlonjate me mish qengji është një nga ato pjata që të kthen menjëherë pas në kohë: në kuzhinat me dritë pasditeje, në tryezat e mbushura me zëra, dhe në aromën e ngrohtë të qepëve të njoma që zbuten ngadalë në vaj ulliri.
Në duart e Shefi Bujar Veshi, kjo recetë tradicionale merr një frymë të re. Ai nuk e trajton gatimin si teknikë, por si art të kujtesës, si mënyrën më të pastër për të ruajtur një identitet që kalon përmes shijes.
Shija e traditës, finesa e mjeshtrit
Në kuzhinën e tij, Bujar Veshi ndjek me përpikmëri ritmin e traditës vlonjate: mishi i qengjit zihet ngadalë, pa ngut, derisa çdo fibrë të jetë butësisht e gjallë në shije. Qepët e njoma, me bollëk, siç kërkon zakoni i vendit, zbuten me vaj ulliri e hudhra, duke krijuar një bazë të ëmbël dhe aromatike.
Por ajo që e dallon mjeshtrin është mënyra si ai e ndërthur kosi me hudhrën dhe koprën, duke e kthyer këtë përbërje të ftohtë në kontrastin që e bën pjatën të gjallë. Në fund, ai e shërben jahninë me një lugë kosi të trashë në mes, si një ftesë për ta përzier me kujdes, që çdo kafshatë të mbajë një copë toke, një pikë diell dhe një frymë deti.
Në çdo aromë e në çdo shije të kësaj pjate ndien Vlorën
Për Shefin Veshi, kuzhina nuk është vetëm mjeshtëri, por edhe përgjegjësi. Çdo recetë është një trashëgimi. Në çdo detaj, ka pak nga shpirti i Vlorës, thotë ai jashtë kameras, me një buzëqeshje të qetë, ndërsa gatimi për të mbetet mënyra më e bukur për të treguar histori.
Receta origjinale e Shef Bujar Veshi
JAHNI VLORE ME MISH QENGJI
Përbërësit:
- Mish qengji me kockë – 800 gr
- Qepë të njoma – 1 kg
- Kopër – 2-3 tufa
- Hudhra – 6 thelpinj
- Kos – 200 gr
- Vaj ulliri
- Kripë
Përgatitja:
Kjo gatese qytetare vlonjate ndërthur disa shije të cilat veç e veç janë të shijshme, por kur bashkohen japin një nivel shijeje të mrekullueshme. Përkthimi i tyre është i harmonishëm.
Mishi vihet të ziejë me ujë dhe pak kripë. Lihet derisa të jetë i zier plotësisht, më pas nxirret nga lëngu dhe lihet të ftohet pak.
Në një kusi me bisht, kaurdisen qepët e njoma të lara dhe të prera jo shumë hollë. Ato kaurdisen aq sa të zbuten, duke shtuar dhe 2-3 thelpinj hudhre.
Më pas shtohet dhe lëngu i mishit të zier, duke e kulluar me një sitë, dhe vihet sërish në zjarr të ziejë.
Ndërkohë përgatitet kosi, ku shtohen hudhrat e freskëta të grimcuara e përziera me vaj ulliri. Shtohet edhe kopra e prerë hollë dhe pak piper i zi.
Tek kosi hidhen majat e koprës, ndërsa pjesa e poshtme dhe bishtat i shtohen qepës në zierje.
Mishi i ftohur pastrohet nga kockat dhe ndahet në copa të vogla. Shtohet te qepa në kusi dhe lihet të ziejë derisa raporti mes lëngut, qepës dhe mishit të jetë i baraspeshuar. Në atë çast shtohet kopra e mbetur dhe gatimi është gati.
Hidhet i nxehtë në pjatë dhe në mes të saj shtohet kosi me kopër e hudhra, i ftohtë. Shtojmë pak vaj ulliri dhe, nëse duam, pak piper të zi për aromë.



Rezultati?
Një pjatë që e ndien me të gjitha shqisat, aromë, shije, kujtim dhe dashuri. Një pjatë që flet vlonjatisht.